Zyrtarët iranianë e paralajmërojnë Trumpin pas kërcënimit të tij për t’i “shpëtuar” protestuesit
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se do të ndërhyjë në Iran, nëse qeveria e këtij vendi vret protestues, duke nxitur paralajmërime nga zyrtarë të lartë Iranianë se çfarëdo ndërhyrjeje amerikane do të ishte kapërcim i “vijës së kuqe”.
Në një shkrim të publikuar të premten në rrjete sociale, Trumpi tha se nëse Irani qëllon me armë dhe vret protestues, Shtetet e Bashkuara “do t’u vijnë në shpëtim” atyre, raporton gazeta “The Guardian”.
Protestat në Iran janë në ditën e gjashtë dhe janë më të mëdhatë që nga viti 2022, kur vdekja e Mahsa Aminit në ndalim policor kishte nxitur protesta në mbarë vendin.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, e quajti deklaratën e Trumpit “të pamatur dhe të rrezikshme” dhe shtoi se ushtria iraniane është në gjendje gatishmërie.
Kryediplomati Iranian gjithashtu tha se protestat kanë qenë kryesisht paqësore, por se sulmet ndaj pronave publike nuk do të tolerohen.