Zyrtarë nga Arabia Saudite e Izraeli në Uashington për t’i diskutuar sulmet e mundshme ndaj Iranit - NACIONALE

Zyrtarë nga Arabia Saudite e Izraeli në Uashington për t’i diskutuar sulmet e mundshme ndaj Iranit

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Administrata e presidentit Donald Trump të ShBA-së do të presë zyrtarë të lartë të mbrojtjes dhe të inteligjencës nga Arabia Saudite dhe Izraeli për bisedime veç e veç rreth Iranit këtë javë në Uashington, kur kreu i Shtëpisë së Bardhë po i shqyrton sulmet ushtarake, sipas dy personave të afërt me çështjen.

Shefi i inteligjencës ushtarake të Izraelit, Gjeneral Shlomi Binder, zhvilloi bisedime rreth Iranit me zyrtarë të lartë të Pentagonit, CIA-s dhe Shtëpisë së Bardhë të martën dhe të mërkurën, tha një burim i afërt me çështjen. Mediumi amerikan, “Axios”, raportoi se ai ndau të dhëna të inteligjencës rreth caqeve të mundshme iraniane, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Ministri i Mbrojtjes i Arabisë Saudite, Khalid bin Salman, ishte gjithashtu në Uashington për takime me zyrtarë amerikanë ku në fokus ishte Irani, sipas një burimi tjetër, i afërt me diskutimet. Sauditët dhe vendet e tjera të Gjirit Persik janë përpjekur që ta depërshkallëzojnë situatën dhe të parandalojnë një luftë më të gjerë.

Princi saudit, Mohammed bin Salman, i ka thënë presidentit iranian, Masoud Pezeshkian, se Riadi nuk do të lejojë që hapësira ajrore ose territori saudit të përdoret për veprime ushtarake kundër Teheranit, raportoi këtë javë agjencia shtetërore e lajmeve, SPA.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Njëri nga burimet dhe një zyrtar amerikan thanë se Trumpi ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për veprimet e mëtejshme, përfshirë atë nëse do ta zgjedhë opsionin ushtarak apo jo.

Lajme të ngjashme