Zyrtar i lartë evropian takon liderët e opozitës, diskutojnë për zhvillimet e fundit politike
Zëvendësdrejtori Menaxhues për Evropën Perëndimore në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm, Emanuele Giaufret, ka vizituar sot Kosovën.
Gjatë kësaj vizite, ai ka takuar liderët e opozitës me të cilët ka biseduar për zhvillimet e fundit politike.
Pas takimit, kryetari i PDK-së, Bedi Hamza, ka treguar se për çka ka biseduar me diplomatin evropian.
Sipas njoftimit të PDK-së, në takim u diskutua për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike në vend, si dhe për rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
Hamza mirëpriti vëmendjen e rikthyer të BE-së ndaj Kosovës dhe rajonit, si dhe vendimin për heqjen e masave, duke e vlerësuar këtë si një hap pozitiv për forcimin e partneritetit dhe perspektivës evropiane të vendit.
Ai ka takuar edhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
LDK-ja ka treguar se në takim është diskutuar për qëndrimin e LDK-së për zhvillimet politike aktuale në vend, me theks të veçantë mbi situatën e krijuar rreth çështjes së zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe rolin e institucioneve të Kosovës në këtë proces.
Më pas, Emanuele Giaufret është takuar edhe me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Diskutuam për zhvillimet aktuale politike në vend e rajon, proceset integruese euroatlantike dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian. Theksova përkushtimin e Aleancës për avancimin e agjendës evropiane të vendit. Kosova gjatë këtyre viteve ka ngecur në agjendën integruese euro-atlantike, veçanërisht në synimin për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian, është jetike që ta kthejmë vendin në binarë të sigurt, përmes vendimmarrjes së përgjegjshme dhe forcimit të partneritetit me aleatët tanë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.