“Zoti i bekoftë shqiptarët”: LDK dhe Abdixhiku urojnë 28 nëntorin - NACIONALE

“Zoti i bekoftë shqiptarët”: LDK dhe Abdixhiku urojnë 28 nëntorin

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në rastin e 111 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj kanë uruar festën e shqiptarëve, me ç’rast kanë rikujtuar edhe presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën dhe komandantin legjendar të UÇK-së, Adem Jasharin.

Urimi i LDK-së:

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për nder të ditës së Flamurit dhe 111 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ju uron të gjithë shqiptarëve 28 nëntorin.

‘’Gjithë shqiptarëve kudo që janë urime 28 Nëntorin - Ditën e Flamurit, ditën historike, që u fitua me shumë sakrificë nga patriotët, burrat e gratë, që kishin ideal të përbashkët, rrugën për liri e pavarësi.

Në këtë ditë feste, kujtojmë me krenari lindjen e një kombi të lirë dhe pavarur, të ndërtuar mbi idealin dhe vlerat e përbashkëta kombëtare. Shqipëria u bë një realitet përmes sakrificës dhe guximit të një brezi të lavdishëm, i cili vendosi të sfidojë çdo pengesë për të shpallur pavarësinë dhe për të ndërtuar një shoqëri, mbi vlerat e lirisë dhe demokracisë.

Kjo datë, mban emrin e Ismail Qemailit bashkë me patriotët e tjerë, që shpallën pavarësinë e Shqipërisë. Sot, e kujtojmë dhe Presidentin historik, Ibrahim Rugova, që me idenë dhe bërjen e shtetit të Kosovës, e plotëson këtë ditë të madhe. E kujtojmë komandantin legjendar, Adem Jashari, sakrifica e të cilit është shembull për mbrojtjen e pragut të shtëpisë. I kujtojmë e nderojmë dëshmorët, heronjtë dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pa kontributin e tyre, Kosova dhe Shqipëria nuk do të ishin si sot!

Shqipëria si shtet pas tërë këtyre viteve të pavarësisë, është faktor i paqes dhe stabilitetit në rajon.

Zoti i bekoftë shqiptarët!’’.

Lajme të ngjashme