Zogaj i KGJK-së: Kuvendi ta respektoj vendimin e Kushtetueses për Ligjin e Pagave, do të bëhen shumë padi
Albert Zogaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), tha se Kuvendi i Kosovës duhet të trajtojë çështjen e zyrtarëve publikë pa alternativë në mënyrë që të evitohen paditë, ngase gjyqësori nuk ka mundësi të përballojë fluksin e padive, raporton Betimi për Drejtësi.
I ftuar në një intervistë në “Tempus”, Zogaj duke folur për moszbatimin e vendimit të Kushtetueses për Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, në të cilin Kuvendi obligohej që ta kthente shtesën prej 0.5%, e cila ishte ulur në 0.25%, tha se shembulli më i mirë për efektet negative të padive të tilla janë rastet me kontratat kolektive.
“Në qoftëse nuk do të kemi një reflektim të shpejtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese që mendoj se është sjellje e paalternativë, absolutisht pa alternativë, atëherë do të kemi një shembull ose situatë të dytë, diçka të ngjashme me kontratat kolektive, por me efekt të dublifikuar- negativ, për shkak se kërkesat do të jenë periodike, derisa realisht të miratohe ligji. Dhe efekti i parandalimit të kësaj situate nga sistemi gjyqësor do të jetë krejtësisht i pamundur, sepse ne nuk kemi mundësi me i parandalu”, tha Zogaj.