Zjarr në periferi të Dublinit, evakuohen banorët e disa shtëpive
Banorët e disa shtëpive në një distrikt të kryeqytetit irlandez u evakuuan gjatë natës për shkak të zjarreve në natyrë në Killiney.
Operacioni i zjarrfikësve vazhdoi gjatë natës në përpjekje për t’i mbrojtur pronat në rrugën “Glenalua”. Dy zjarrfikës pësuan lëndime të lehta përderisa po mundoheshin që ta mbanin zjarrin nën kontroll.
Zyrtari i Brigadës së Zjarrfikësve në Dublin, Darren O’Connor, tha se zjarri nisi rreth orës 17 e 30 minuta të hënën.
Ai tha se zjarri është vënë nën kontroll. Megjithatë, njerëzit ende nuk janë lejuar që të kthehen në shtëpitë e tyre.
O’Connor tha se dy zjarrfikësit e lënduar janë trajtuar në spital dhe se lëndimet e tyre nuk janë serioze. “Kam shpresë se ata do të shërohen plotësisht”, tha ai.