Zjarr në një konvikt të nxënësve në Kinë, 13 të vdekur - NACIONALE

Zjarr në një konvikt të nxënësve në Kinë, 13 të vdekur

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Trembëdhjetë persona kanë vdekur pas shpërthimit të zjarrit në një konvikt të nxënësve në pjesën qendrore të Kinës, raporton agjencia shtetërore e lajmeve, “Xinhua”.

Flaka vdekjeprurëse shpërtheu të premten në mbrëmje në një shkollë për fëmijë të vegjël në fshatin Yanshanpu të provincës Henan, raporton televizioni BBC.

Shkolla private kujdeset për nxënës të shkollimit fillor dhe për ata që janë në moshë për çerdhe fëmijësh, sipas gazetës “China Daily”.

Menaxheri i shkollës, e cila ndodhet afër qytetit Nanyang, është ndaluar nga autoritetet dhe për këtë rast është nisur një hetim.

Një person i lënduar raportohet se po trajtohet në spital dhe ndodhet në gjendje stabile.

Kanalet zyrtare nuk kanë dhënë hollësi të tjera, si identiteti i të vdekurve ose shkaktari i zjarrit. Agjencia “Xinhua” raportoi se flaka u shua për më pak se një orë pasi ishin njoftuar zjarrfikësit.

Zjarret fatale në Kinë nuk janë të rralla. Ato ndodhin zakonisht për shkak të zbatimit të dobët të standardeve të ndërtimit dhe të sigurisë.

Në nëntor, 26 persona vdiqën, pasi një zjarr kaploi një ndërtesë me zyra në qytetin Luliang të provincës Shanxi.

Lajme të ngjashme