Zjarr i madh në pyjet e Italisë, evakuohen mijëra banorë
Zjarrfikësit italianë të premten po luftonin për të shuar një zjarr të madh në pyje në Toskanë, që është përhapur për disa ditë, i përkeqësuar nga era e fortë, duke e bërë të detyrueshëm evakuimin e rreth tre mijë njerëzve.
Zjarri, i cili është aktiv nga e marta, është përhapur në një sipërfaqe prej më shumë se 800 hektarësh në Malin Faeta, duke i kapluar provincat Lucca dhe Pisa, tha kryetari i një qyteze fqinje, San Giuliano Terme, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Matteo Cecchelli i tha transmetuesit publik RAI se zjarri me gjasë u nxit nga djegia e degëve të krasitura të ullinjve, që doli jashtë kontrollit.
Gjatë natës, era e fortë e përforcoi zjarrin, duke i nxitur autoritetet që të kryenin evakuim të banorëve, tha në një deklaratë kryetari i rajonit të Toskanës, Eugenio Giani.
Tre aeroplanë për fikje zjarri, të cilët marrin ujë në liqene, lumenj ose dete, janë dislokuar për ta mbështetur stafin në terren tokësor, tha departamenti kombëtar i zjarrfikësve në rrjetin X.
“Zjarri është ende shumë aktiv. Po bëhen të gjitha përpjekjet për ta kufizuar perimetrin e zjarrit sa më shumë që është e mundshme, por nuk mund të relaksohemi apo të bëjmë parashikime, sepse jemi në mëshirën e erës” – tha nënkryetari i qytetit Lucca, Fabio Barsanti.