Zhvillimet në KPM, Kelmendi: Krejt kanë m’u mbyllë deri të mbetet TVVV, vetëm atëherë kënaqet lideri
Gazetari Adriatik Kelmendi, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në Komisionin e Pavarur të Mediave.
Kelmendi përmes një postimi ka shkruar një skenar, duke thënë se edhe për një lëvizje më të vogël, tash e tutje do të dënohet ose mbyllën mediat.
Ai ka thënë se kjo do të vazhdojë deri sa të mbetet “TVVV”, duke thënë se vetëm atëherë kënaqet lideri dhe dëgjohet vetëm ai.
Postimi i plotë:
Qe një skenar:
KPM-ja dërgon vërejtje. Një mysafir në Rubikon ka thënë se një ministër ka vjedhur. 1 mijë euro dënim.
Të nesërmen, vërejtja tjetër. Mysafiri tjetër ka thënë se një deputet është i padijshëm. 5 mijë euro dënim.
Ditën e tretë. Një mysafir e ka quajtur kryeministrin - Alpin Kurti. 20 mijë euro dënim.
Të katërtën ditë. Në emision presidentja është quajtur plesidente. 40 mijë euro dënim.
Ditën e pestë. Policia bllokon hyrjen në televizion se nuk janë paguar dënimet. Ndalohet sinjali.
Java e dytë. TV21 i ka ftuar vetëm dy mysafirë. KPM-ja mendon se është dashur tre. Disa gjoba nga KPM-ja. Dhe dryni.
Java e tretë. Një mizë në studio të T7-shit. Dryni.
Java e katërt. KTV-ja. Studioja shumë e errët. KPM-ja do dritë, optimizëm. Drynin, menjëherë.
Java e pestë, e gjashtë…
Derisa mbetet vetëm TVVV. Vetëm atëherë kënaqet Lideri. Flet vetëm ai. Dëgjohet vetëm ai.
Dikur mjaftohet vetëm të flasë - vet me vete.