Zëvendëskryeministrja: Duhet të gjendet një zgjidhje tjetër për Asociacionin
Zëvendëskryeministrja për Çështjen e Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, Emilija Rexhepi në një deklarim për KosovaPress, ka thënë se duhet të gjendet një zgjidhje tjetër për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ajo ka thënë se formimi i Asociacionit një etnik është gabim dhe se nuk tregon pasqyrën e vërtetë multikulturore në Kosovë dhe cenon komunitetet e tjera.
“Konsideroj se formimi i komunave etnike është gabim, nuk jep një pasqyrë të vërtetë multikulturore këtu në Kosovë, nuk i jep të drejtë komuniteteve të tjera të jetojnë lirshëm, të funksionojnë lirshëm dhe konsideroj që krijimi i komunave të tilla me një komunitet shumicë ose edhe vetë emri ‘asociacioni i komunave serbe’, është krijimi i një ‘republike serbe të dytë në Kosovë’. Ne të gjithë jemi dëshmitarë se çfarë është gjendja në Bosnje dhe Hercegovinë dhe se çfarë krejt mundet, përgjatë këtyre viteve, të bëjë ‘Republika serbe’ në funksionimin normal te të gjithë qytetarëve, të gjitha kombeve, të gjitha bashkësive në Federatën e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe nëse një gjë të tillë do të kishim në Kosovë, ku ne krijojmë një shoqëri e cila është e barabartë për të gjithë, e drejtë për të gjithë, ku do të kishim dërguar një fotografi të Ballkanit, Evropës dhe botës që në këtë shtet jetojnë të gjitha kombet, të barabartë, të përfshirë në të gjitha sferat e shoqërisë kosovare dhe të krijohet një komunë e tillë për mua është gabim. Duhet që të gjendet një model sa më i mirë i mundshëm që të gjithë të jenë të kënaqur në atë model”, ka thënë Rexhepi.
Ndërsa për propozimin franko-gjerman, ajo ka thënë se nuk ka njohuri dhe se nuk është diskutuar në Qeveri.
