Zv.kryeministri Bislimi takohet me deputetin Kamberi, theksojnë rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm
Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, zhvilloi një takim me deputetin e vetëm shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi.
Në takim u diskutua me theks të veçantë mbi zhvillimet aktuale në lidhje me pozitën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Bashkëpunimi i vazhdueshëm u theksua si një element kyç për adresimin e shtypjes dhe diskriminimit sistematik që ballafaqohen bashkatdhetarët në këtë zonë.
Në fjalën e tij, Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu përkushtimin e qeverisë në vazhdimin e bashkëpunimit dhe angazhimit për të adresuar sfidat që shqiptarët përballen.
Ai bëri me dije se gjatë këtij viti, qeveria ka alokuar 3 milionë euro nga buxheti i shtetit për Luginën, duke shënuar një rritje prej 50% në mbështetjen financiare krahasuar me vitin 2023, ka bërë të ditur Zyra e Kryeministrit.