Zelensky thotë se Rusia po përdor raketa të Koresë së Veriut për ta goditur Ukrainën - NACIONALE

Zelensky thotë se Rusia po përdor raketa të Koresë së Veriut për ta goditur Ukrainën

1 ditë më parë

nga NACIONALE

Ukraina dhe Rusia vazhduan që ta sulmonin njëra-tjetrën gjatë natës së kaluar, përderisa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Moskën se po përdor raketa të Koresë së Veriut.

Zelensky tha se në sulmet në Zaporizhia, ku mbetën të vrarë të paktën gjashtë njerëz dhe u lënduan së paku 19 të tjerë, ishin të përfshira raketat balistike nga vendi aleat i Rusisë, raporton televizioni BBC.

Në Voronezh, në jug të Rusisë, disa depo që i përkisnin shitësit me pakicë, “Wildberries”, u goditën nga Ukraina. Kjo kompani, e njohur si “Amazon”-a e Rusisë, ka qenë në shënjestër të sulmeve disa herë në javët e fundit.

Në një video-adresim të hënën në mbrëmje, Zelensky tha se “për herë të parë”, Rusia “nuk mund ta zhvillojë luftën pa përforcime nga Koreja e Veriut”.

“Sa më shumë sulme koreanoveriore që ka këtu në Ukrainë, në Evropë, aq më shumë përdoren raketat dhe ushtarët e tyre, aq më shumë i përmirësojnë ata mangësitë dhe këndet e vdekura të tyre” – tha Zelensky, duke shtuar se kjo paraqet rrezik për pjesën tjetër të botës.

Në fjalimin e tij, Zelensky gjithashtu vlerësoi lart një sulm ajror të suksesshëm ndaj një fabrike petrokimike ruse në perëndim të Siberisë të hënën, duke e cilësuar si “arritje shumë domethënëse” nga ushtria ukrainase.

Lajme të ngjashme