Zelensky thotë se Rusia ka kryer mbi 30 sulme me dronë për dy ditë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Rusia ka kryer më shumë se 30 sulme me dronë në vendin e tij për vetëm dy ditë.
Ai shtoi se në përgjithësi, Moska gjithashtu ka kryer rreth 4.500 sulme me raketa e mbi 8.000 sulme ajrore, raporton televizioni BBC.
Duke folur nga Kievi e duke qëndruar pranë një droni të rrëzuar, që dukej i prodhimit iranian, “Shahed”, Zelensky u zotua se do t’ia “presë krahët” fuqisë ajrore ruse.
Zyrtarët perëndimorë besojnë se Irani e ka furnizuar Rusinë me një numër të madh dronësh, por Moska dhe Teherani e kanë mohuar këtë.
Kryediplomati i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken, i akuzoi komandantët rusë se po i përdorin dronët “për të vrarë civilë ukrainas dhe për ta shkatërruar infrastrukturën në të cilën ata mbështeten për rrymë, për ujë, për ngrohje”. Ai e bëri këtë koment gjatë një vizite në kryeqytetin kanadez, Otava.
“Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara do ta vazhdojnë punën me aleatët dhe partnerët tanë për ta ekspozuar, parandaluar dhe kundërshtuar dhurimin e këtyre armëve nga Irani”, tha sekretari i Shtetit.