Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë: Kemi mjaft armë për ta shkatërruar regjimin iranian
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, në një deklaratë tha: “Ushtria amerikane ka më shumë se mjaftueshëm rezerva municionesh e armësh për ta vazhduar shkatërrimin e regjimit iranian.”
“Sidoqoftë, presidenti Trump ka qenë gjithmonë intensivisht i fokusuar në fuqizimin e ushtrisë sonë. Për këtë arsye, ky takim me kontraktorët e mbrojtjes ishte caktuar javë më parë” – shtoi ajo.
Trumpi pritet të takohet të premten me përfaqësues të disa prej kompanive më të mëdha të mbrojtjes në vend, përfshirë “Lockheed Martin”, “Boeing”, “Honeywell” dhe “L3Harris”.
Ky takim ishte planifikuar para një kohe të gjatë, para se të fillonte hedhja e bombave në Iran. Megjithatë, shpenzimi i madh i municioneve ka nxitur një valë të re të urgjencës për mbajtjen e takimit.
Disa ekspertë të mbrojtjes kanë paralajmëruar se niveli i tanishëm i sulmeve ajrore si dhe kërkesa e konsiderueshme për kapacitete të mbrojtjes ajrore për shkak të sulmeve hakmarrëse të Iranit mund të bëhen të vështira për t’u mbajtur, nëse operacionet vazhdojnë, raporton televizioni BBC.
Zyrtarët amerikanë, përfshirë vetë presidentin Trump, janë përpjekur që t’u kundërvihen pohimeve se niveli i rezervave të armëve dhe pajisjeve mund t’i kufizojë operacionet e ushtrisë amerikane.