Ymeri e përkrah "Rrugën e tretë" të Abdixhikut: Kosova ka nevojë që ta luftojë politikën e frikës - NACIONALE

Ymeri e përkrah "Rrugën e tretë" të Abdixhikut: Kosova ka nevojë që ta luftojë politikën e frikës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dje Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK-së, përmes një shkrimi në Facebook, njoftoi për nisjen e një “Rruge të Tretë”, për të tejkaluar marrëdhënien e trazuar të Kosovës me aleatët ndërkombëtarë. Në lidhje me këtë nismë të Abdixhikut, analisti Visar Ymeri mendon se Kosova ka nevojë për një narrativë tjetër politike, që do ishte alternativë e asaj të qeverisë Kurti.

Në një përgjigje për gazetën Nacionale, Ymeri tha se nisma e LDK-së së drejtuar nga kryetari Lumir Abdixhiku është për t’u përshendetur.

“Është e qartë që Kosova ka nevojë të jashtëzakonshme për një narrative tjetër politike karshi këtij që po e dominon opinionin e që është narrative e Qeverisë dhe KM Kurti. Është po ashtu tejet e domosdoshme që të kemi opozitë aktive partiake e parlamentare, krahas dhe bashkë me angazhimin shoqëror, me qëllim të artikulimit të një qëndrimi alternativ politik në këtë situatë që po shkon drejt rëndimit të vazhdueshëm. Në këtë drejtim mendoj që nisma e LDK-së përmes kryetarit të saj Lumir Abdixhiku është për t’u përshëndetur.” - tha Ymeri.

Ai tha se Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për një nismë politike që ka synim eurointegrimet, zhvillimin dhe bashkëpunimin, e jo izolimin e polarizimin e shoqërisë.

“Për këtë nismë aktualisht dijmë vetëm për formën, të cilën e ka shpalosur Abdixhiku, e që është bashkëpunim me akterë të ndryshëm politik, të shoqërisë civile, intelektual e artistë drejt krijimit të një fronti shoqëror. Përmbajtja e kësaj nisme besoj që do të duhej të bëhej publike shpejtë. Kosova ka shumë nevojë që ta luftojë politikën e frikës, me një alternativë shprese, politikën e polarizimit e përplasjes me një alternativë bashkëpunimi, koncenzusi e kompromisi, mendësinë e izolimit me një afirmim të integrimit e përparimit.” – vlerësoi ai.

Tutje, sipas Ymerit, shoqëria po shpenzon shumë kohë duke folur për vuajtjet e të kaluarës.

“Qeveria aktuale flet shumë për të konstatuar pamundësitë, kur do të duhej të përqëndrohej në krijimin e hapjen e mundësive të reja dhe tejkalimin e pengesave. Politika e shoqëria shpenzojnë shumë kohë duke folur për të vuajtjet e së kaluarës, kur na duhet një ravijëzim i qartë i përfitimeve nga e ardhmja. Këto mungesa në diskutimin politik sot duhet të jenë diskutimet krysore për një politikë që kërkon afirmim sovraniteti, avancim ndërkombëtar të Kosovës e zhvillim shoqëror, politik e ekonomik të vendit tonë, drejtë një shoqërie liberale e të integruar.” - shtoi Ymeri.

Lajme të ngjashme