Xhim Xhema ofron kontributin e tij për të realizuar “Muzeun e Paqes” në Prishtinë
Veprimtari i shquar i çështjes shqiptare në ShBA-së, Xhim Xhema, ka marrë përsipër realizimin “Muzeut të Paqes” në kryeqytet.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Prishtinë, Përparim Rama.
I pari i Prishtinë ka treguar se ky muze do të kontribuojë në forcimin e kujtesës kolektive për të kaluarën e Kosovës.
“Takimin me atdhetarin Xhim Xhema është gjithmonë privilegj. Gjatë gjithë jetës së tij, ai ndihmoi çështjen shqiptare duke u bërë një dritë shprese për ne në komunitetin ndërkombëtar. Kontributi i tij vazhdon edhe sot, tani në ruajtjen e historisë tonë kolektive. Xhim Xhema ka ofruar kontributin e tij për realizimin e “Muzeut të Paqes” në Prishtinë. Ky muze do të kontriboj në forcimin e kujtesës sonë kolektive për të kaluarën tonë, për nderimin e kontribuesit të çështjes sonë dhe do të shërbejë si themel për të edukuar brezat e ardhshëm mbi vlerat e paqes dhe demokracisë. Xhim Xhema ka marrë përsipër një përgjegjësi të madhe, duke siguruar mbështetje financiare të plotë për dizajnimin dhe ndërtimin e muzeut”, ka shkruar Rama në profilin e tij në “Facebook”.
Ai e ka falënderuar për këtë kontribut veprimtarin e shquar shqiptar.
“Përjetësisht mirënjohës për kontributin e tij për popullin shqiptar dhe për forcimin e imazhit të Prishtinës si një qytet që, përmes artit dhe arsimimit, promovon paqen dhe rëndësinë e bashkëpunimin ndërkombëtar. Faleminderit, Z. Xhim Xhema, për këtë kontribut të jashtëzakonshëm. Ky muze do të mbetet një testament i veprës suaj sublime për Kosovën 🇽🇰 dhe një burim frymëzimi për brezat që do të vijnë”, ka shkruar ai.