Xhemaili kërkon veprime nga Prokuroria: Brenda Kuvendit u bë thirrje për pushkatimin e Haradinajt, VV-ja heshti
Zëdhënësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Kushtrim Xhemaili ka reaguar pas thirrjes për pushkatimin e Ramush Haradinaj, që u bë nga një person brenda Kuvendit të Kosovës.
Xhemaili në një shkrim në rrjetin social Facebook, ka thënë se ky veprim është akt i pastër kriminal.
Mes tjerash, ai ka shtuar se heshtja e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje që ishin aty, e bën këtë edhe më të tmerrshme.
Xhemaili ka kërkuar nga Prokuroria që të veprojë urgjent.
Postimi i plotë:
Thirrja e sotme për pushkatimin e Ramush Haradinajt brenda Kuvendit të Kosovës është një akt i pastër kriminal.
Kjo nuk është liri e shprehjes, por fashizëm i hapur që meriton reagim të menjëhershëm.
Atë që kërkoi ky person sot në mes të Prishtinës, Serbia e kërkon zyrtarisht që tri dekada.
Beogradi tentoi ta dënojë dhe ta thyejë Haradinajn në Tribunalin e Hagës me dosje të trilluara. Por, ai doli dy herë i pafajshëm, duke mbrojtur përfundimisht pastërtinë e luftës së UÇK-së. Sot, kjo mendësi antikombëtare guxon ta krahasojë një komandant çlirimtar me terroristin Milan Radojçiq.
Më e tmerrshme është heshtja e turpshme e deputetëve dhe zyrtarëve të pranishëm nga partia që ka fituar zgjedhjet.
Ata lejuan këtë linçim monstruoz pa bërë asnjë reagim.
Kuvendi i Kosovës nuk është arenë për të mbjellë urrejtje dhe agjenda të Beogradit.
Prokuroria duhet të veprojë urgjentisht!