Xhavit Haliti dyshon që Kurti është i interesuar që të zgjidhet presidenti
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, ka deklaruar se për postin e presidentit nuk mund të ketë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, koalicionet ndërtohen për qeveri, jo për zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Ne nuk mund të hyjmë në koalicion me LVV-në sepse koalicioni hidhet për qeveri, jo për president”, tha Haliti në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai theksoi se presidenti duhet të jetë figurë e pranueshme për të gjithë dhe e paanshme.
“Duhet të bëhet një marrëveshje politike për presidentin e Kosovës. Asnjë parti nuk mund ta zgjedhë e vetme”, u shpreh ai.
Haliti shtoi se nuk është praktike që partitë të shkojnë me emrat e tyre, ndërsa për kandidaturën e mundshme të Glauk Konjufca tha se përvoja institucionale është e domosdoshme.
Ai gjithashtu shprehu dyshime për vullnetin e Albin Kurti për të arritur marrëveshje.
“Unë mendoj personalisht që Kurti s’është i interesuar që ta zgjedhim presidentin”, deklaroi Haliti.