Xhavit Haliti: Aksioni ku u vra Enver Zymeri ka qenë i pakoordinuar me aleatët
Xhavit Haliti, deputet i PDK-së, ka folur në lidhje me nevojën për marrëveshje me aleatët e Kosovës. Sipas Halitit, nëse KFOR-it kërkon diçka nga Kosova, duhet të zbatohet.
Tutje, ai ka bërë një deklaratë interesante, duke thënë se aksioni në veri, ku u vra polici Enver Zymeri, i dekoruar si hero nga Presidenca e Kosovës, nuk ka qenë i koordinuar me aleatët ndërkombëtarë.
“E kemi pasur një përvojë të keqe në të kaluarën, kur i kemi nisur forcat speciale në veri në aksion, dhe në kthim e sipër, dua ta them publikisht, policinë e Kosovës e ka shpëtuar ambasadori i ShBA-së, sepse kanë rënë në pritë, kanë qenë në rreziqe shumë, shumë të mëdha. Ka qenë aksioni ku është vrarë polici Zymeri në aksion, të cilin ne e kemi shpallur hero. Duhet të jemi kooperativë, dhe të mos qesim ‘petulla në ujë’, se a e kemi të shkruar a jo. Marrëveshjet politike me bashkësinë ndërkombëtare nuk shkruhen në Kushtetutë, dhe nëse KFOR-i kërkon diçka prej nesh, ajo nuk është kategori kushtetuese por duhet të zbatohet.” – tha ai në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Aksioni i atëhershëm ka qenë plotësisht i pakoordinuar me aleatët.” – vazhdoi Haliti rreth aksionit të policisë së Kosovës në veri në vitin 2011.