Vuçiqi pas takimit me Listën Serbe: Kosova do të përballet me rezistencën demokratike të popullatës serbe - NACIONALE

Vuçiqi pas takimit me Listën Serbe: Kosova do të përballet me rezistencën demokratike të popullatës serbe

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Më 31 tetor do të skadojë afati dymujor i vendosur nga Qeveria e Kosovës për konvertimin e targave të lëshuara nga Serbia në ato RKS - Republika e Kosovës. Por nga Serbia po shprehen se nuk do ta respektojnë këtë marrëveshje. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se “serbët në Kosovë do t’u rezistojnë paqësisht autoriteteve të Prishtinës”.

“Sigurisht se do të hasin në rezistencën demokratike të popullatës serbe. Nuk do të ketë përsëritje të vitit 2004, as veprime të tilla të ngjashme kundër popullit serb”,- ka thënë Vuçiqi pas takimit me zyrtarët e Listës Serbe.

Ai është shprehur se Serbia vazhdimisht po kërkon targa KS me status neutral, porse kjo po refuzohet. Tutje, presidenti serb ka thënë se i ka dëgjuar kërkesat e përfaqësuesve serbë të Kosovës.

“Ata na informuan për nevojat dhe gjithçka me çfarë po përballen, veçanërisht para skadimit të ultimatumit të dhënë nga regjimi i Prishtinës për ata në veri të Kosovës, që i referohet konfiskimit të automobilave me targa të lëshuara në Serbi, të ashtuquajtura targa KM, prej të cilave janë rreth 9 mijë”,- tha Vuçiqi.

E pas takimit me presidentin serb, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, e ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe.

Këto deklarata Rakiqi i bëri pas takimit të Listës Serbe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd, teksa më 31 tetor do të skadojë afati dymujor i vendosur nga Qeveria e Kosovës për konvertimin e targave të lëshuara nga Serbia në ato RKS - Republika e Kosovës.

“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do t'i bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, tha Rakiq në një konferencë për medie në Beograd.

Lajme të ngjashme