Vuçiq për protestat në Serbi: Donin që Serbia të mos mund të mbrojë Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i quajti “revolucioni të ngjyrosur” protestat masive në Serbi duke pretenduar se është organizuar me një shumë të madhe parash, me miliarda euro, në mënyrë që Serbia të mos mund të mbrojë Kosovën dhe të mos mund të ndihmojë Republikën Srpska.
"Revolucionin e ngjyrosur e organizuan para së gjithash sepse donin ta rrëzonin Serbinë, që Serbia të mos mund të mbrojë Kosovën dhe popullin e saj atje, dhe që Serbia të mos mund të ndihmojë vëllezërit dhe popullin e saj në Republikën Srpska.
E kanë sulmuar me çdo kusht, me një shumë të madhe parash. Me miliarda euro, në çdo mënyrë kanë tentuar, dhe tani ka ardhur fundi," tha Vuçiq gjatë një fjalimi në një tubim në Smederevë, raporton Tanjug.