Vuçiq diskuton me kryetarin e senatit francez, përmend Asociacionin pas takimit
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se e vlerëson qasjen aktive të Francës dhe mirëkuptimin për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, sidomos “pjesën që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
Siç raporton mediumi “Kosovo-Online”, Vuçiq të premten ka pasur një takim me kryetarin e Senatit të Republikës së Francës, Gerard Larcher.
Mediumi në fjalë, duke cituar një deklaratë të presidencës, ka raportuar se Vuçiq e ka informuar Larcher rreth zhvillime të fundit në Kosovë.
“Ne vlerësojmë qasjen aktive të Francës dhe presim mirëkuptim për qëndrimin tonë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve ekzistuese dhe mbi të gjitha, pjesën që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, e cila është me rëndësi kyçe për sigurinë dhe jetën normale të komunitetit serb në Kosovë”, tha Vuçiq.
Vlen të theksohet, se Franca dhe Gjermania e kanë mbështetur propozimin e fundit të Bashkimit Evropian për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ditë më parë tha se një prej afateve për arritjen e kësaj marrëveshje, ka qenë marsi i vitit 2023.
