Vritet nga predhat në Liban ushtaraku serb, Rreshter Milan Jovanoviq
Kombet e Bashkuara kanë njoftuar se Rreshter Milan Jovanoviq, i cili ishte pjesë e Helmetave të Kaltra, trupa paqeruajtëse të misionit të OKB-së në Liban, i njohur si FINUL, ka vdekur pas lëndimeve serioze që i pësoi, kur predhat e mortajave e goditën pozicionin e tij afër Marjayoun-it, në pjesën juglindore të Libanit.
Kombet e Bashkuara njoftuan se Jovanoviqi u vra vetëm një ditë para se të mbushte 37 vjet jetë, duke lënë pas vetes dy fëmijë. Ai ishte pjesë e Batalionit të 27-të të Mekanizuar të ushtrisë serbe. Në njoftim thuhet se ai ishte duke e kryer misionin e parë paqeruajtës dhe kishte arritur në Liban në fund të janarit.
Dy kolegë të tij, njëri nga El Salvadori e tjetri nga Spanja, pësuan lëndime. Ata janë në gjendje stabile dhe po trajtohen, thuhet në njoftim.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ua shprehu ngushëllimet e tij më të thella familjes, miqve dhe kolegëve të Jovanoviqit, si dhe Qeverisë e popullit të Serbisë, ndërsa të lënduarve u uroi shërim të shpejtë e të plotë, thuhet më tej.
Shtatë pjesëtarë të Helmetave të Kaltra, të cilët ishin duke shërbyer në misionin FINUL, janë vrarë nga 2 marsi i këtij viti, kur veprimet armiqësore u përshkallëzuan. Disa të tjerë janë lënduar.