Vritet me thikë turisti francez në Ksamil, arrestohet autori i fshehur në bagazhin e një veture
Pushimet në Ksamil do të ishin të fundit për turistin francez Migel Mendes, i cili u vra këtë mëngjes nga truproja i beach bar’-it ‘Principotes.’ Një konflikt me truprojën e lokalit, Sokrat Vatën, përshkallëzoi deri në vrasjen e 20-vjeçarit.
Që prej mbrëmjes të së hënës, Mendes ndodhej bashkë me miqtë e tij në klubin e natës së vetë kompleksit, të quajtur “La Guerre”(Lufta) ku organizohej një festë me DJ francez. Në këtë pjesë të kompleksit, ndodhi edhe konflikti me truprojën. Më pas, turisti është nxjerrë nga Vata në pjesën e jashtme të lokalit, pas 'beach bar'-it dhe shezlongëve ku është goditur me thikë nga 29-vjeçari që më pas është larguar.
Vata është kapur vetëm pas pesë orësh në Levan të Fierit, teksa përpiqej të arratisej në bagazhin e një makine, ku shoferja 31-vjeçare dhe pasagjeri 38-vjeçar, ishin turq.
Sipas raportimeve, 29-vjeçari, i cili banonte në Has dhe ishte i punësuar si truprojë në ‘Principotes’, nuk ishte i panjohur për autoritetet, pasi më herët ka pasur probleme me drejtësinë në Britaninë e Madhe, ku ishte dënuar në vitin 2024 për trafik droge. Rrethanat e lirimit të tij nga autoritetet britanike mbeten për t’u sqaruar.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes tragjike të Ksamilit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 05:15, në shezlongët e plazhit, para një lokali në Ksamil, është gjetur pa shenja jete shtetasi francez M. M., rreth 20 vjeç, i cili dyshohet se është goditur me mjet prerës (thikë).
Nga veprimet paraprake dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta, 20-vjeçari është goditur me mjet prerës nga shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili është larguar menjëherë pas ngjarjes.
Shërbimet e Policisë vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes" njoftoi sot policia.