Vrasja e trefishtë në Gllogjan: Nis seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve - NACIONALE

Vrasja e trefishtë në Gllogjan: Nis seanca fillestare ndaj tre të akuzuarve

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore të Pejës ka nisur seanca për shqyrtimin fillestar ndaj tre të akuzuarve të cilët po gjykohen për vrasjen e trefishtë në Gllogjan. Bëhet fjalë për të dyshuarit; Kastriot Mehmetaj, Kreshnik Mehmetaj dhe Halil Mehmetaj.

Në seancë kanë marrë pjesë tre të akuzuarit së bashku me palën mbrojtëse të tyre.

Kutjojmë se me datë 5 maj të vitit 2023 përmes një konference për media prokurorja e rastit Sahide Gashi ka bërë të ditur se Prokuroria Themelore e Pejës ka ngritur aktakuzë për këtë rast lidhur me veprën penale “Vrasje e rëndë” dhe ndaj Halil Mehmetajt për “Shtytje në kryerje të veprës penale vrasje e rëndë”.

Në atë konferencë, prokurorja e rastit Sahide Gashi, bëri të ditur se ndaj të pandehurit Malsor Mehmetaj, kanë pushuar hetimet pasi nuk është arritur të vërtetohet dyshimi se i njëjti ka qenë i përfshirë në këtë rast.

“Pas hetimeve, Prokuroria sot më 5 maj ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themeore në Pejë kundër Kastriot Mehmetaj e Kreshnik Mehmetaj për vepër penale si bashkëkryes të vrasjes së rëndë. Kemi ngritur aktakuzë edhe kundër Halil Mehmetaj për vepër penale shtytje në vrasje të rëndë. Pas përfundimit të hetimeve dhe shqyrtimit të të gjitha provave, Prokuroria për të pandehurin Malsor Mehmetaj nuk ka arritur të vërtetojë dyshimin se i njëjti të ketë qenë i përfshirë në ndonjë mënyrë në krim, andaj Prokuroria ka marrë vendim që kundër tij t’i pushojë hetimet”, pati thënë ajo.

Çka dihej deri tash?

Autobusi plot me nxënës ishte gjuajtur me automatikë, duke lënë të vdekur shoferin dhe dy nxënës të tjerë.

Vrasja e trefishtë që ka ndodhur në Gllogjan të Deçanit më 26 nëntor të vitit 2021.

Ky akt makabwr u krye në orën 19:00 më 26 nëntor 2021, përderisa një autobus po transportonte nxënësit nga Gjakova për në Deçan, ku u sulmua me kallashnikov. Nga ky sulm kanë mbetur të vdekur tre persona, shoferi i autobusit dhe dy nxënës.

Më 11 dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Pejës, saktësisht Kryeprokurori Agim Kurmehaj, kishte mbajtur konferencë për media dhe kishte njoftuar se janë arrestuar tre të dyshuar për rastin.

Gjithashtu, në shkurt të këtij vitit është arrestuar edhe një tjetër i dyshuar, e që sipas raportimeve në media, është familjar i tre personave që ishin arrestuar më parë./Nacionale.com/

Lajme të ngjashme