“Vrasja e rëndë” në Malishevë, Prokuroria jep detaje
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka dhënë disa detaje në lidhje me rastin që ka ndodhur në fshatin Kërvasari të Komunës së Malishevës, ku një femër ka mbetur e vrarë, kurse një mashkull ka mbetur i plagosur.
Prokuroria ka bërë me dije se sipas të dhënave fillestare një person i gjinisë femërore, bashkëshortja e personit të dyshuar, si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit ka ndërruar jetë në QKUK.
“Ndërkaq, i dyshuari personi i gjinisë mashkullore, po ashtu ka pësuar plagë të rënda nga arma e zjarrit, i cili është dërguar për trajtim mjekësor dhe sipas njoftimit nga QKUK, i njëjti është në gjendje të rëndë dhe kritike për jetën. Prokurori i Shtetit, ka dal në vendin e ngjarjes dhe me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë, për kryerjen e autopsi”, është thënë në njoftimin e prokurorisë, duke dhënë detaje tjera.
“Nga Prokurori i Shtetit rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Prokurori i Shtetit, në koordinim me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti dhe sigurimit të provave relevante”, është thënë në njoftim.