Vrasja e Liridona Ademajt u inskenua si grabitje, motivi ishte përfitimi pasuror
Gjykata Themelore në Prishtinë kishte dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim për vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas aktgjykimit të arsyetuar, vrasja ishte planifikuar dhe inskenuar si grabitje, ndërsa motivi kryesor ishte përfitimi pasuror nga polisa e sigurimit jetësor dhe motive personale të Murselit.
Themelorja, më 21 prill 2026, ka dënuar me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, pasi janë shpallur fajtorë për vrasjen e Liridona Ademajt. Më 6 korrik 2026, Gjykata publikoi edhe aktgjykimin e arsyetuar të këtij rasti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 6 korrik 2026, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari Naim Murseli, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, si dhe për shkak të mllefit e dëshirës për hakmarrje, kishte bërë plan ta largonte Liridonën nga jeta e tij. Sipas aktgjykimit, pas datës 25 qershor 2022, kur ishte paguar polisa e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt, në shumën prej 3,000,000 kronash suedeze, ai kishte synuar që, përveç vrasjes, të përfitonte edhe dobi financiare.
Për këtë qëllim, Naim Murseli ia kishte shpalosur planin e tij Kushtrim Kokallës, duke i kërkuar që të gjente mundësi për vrasjen e saj. Fillimisht, Kokalla kishte refuzuar, por më pas kishte gjetur të akuzuarin Granit Plava, të cilin e kishte njoftuar me Naim Murselin. Sipas aktgjykimit, të tre ishin dakorduar që Plava ta kryente vrasjen, ndërsa Murseli t’ia paguante kompensimin në shumën prej 30,000 eurosh.
Ndërkaq, më 29 nëntor 2023, Murseli kishte siguruar armën e zjarrit të markës “Zastava”, të cilën e kishte blerë nga i akuzuari Tom Dodaj për shumën prej 280 eurosh. Më pas, atë armë ia kishte dorëzuar të akuzuarit Granit Plava, i cili e kishte përdorur për vrasjen e Liridona Ademajt.
Sipas aktgjykimit, po atë ditë, në intervalin kohor nga ora 20:11 deri në orën 20:18, në vendin e dakorduar me të akuzuarin Murseli, ku ngjarjen e kishin inskenuar si grabitje, Naim Murseli, në mënyrë dinake, e kishte mbajtur me dorën e tij të djathtë tani të ndjerën Liridonë për krahun e saj të majtë, me qëllim që ajo të mos i shmangej plumbit. Më pas, Murseli kishte dalë nga vetura së bashku me fëmijët dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes.
Lëxon këtu artikulllin e plotë.