Vrasja e dyfishtë në Junik: Apeli ashpërson dënimin - NACIONALE

Vrasja e dyfishtë në Junik: Apeli ashpërson dënimin

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Me vendimin e Gjykatës Themelore të Pejës nuk është pajtuar Gjykata e Apelit. Apeli nuk është pajtuar në tërësi me lartësinë e dënimit prej 27 viteve burgim të shqiptuar ndaj të akuzuarit Bujar Demaj për vrasjen e dyfishtë të Blerim dhe Vllaznim Pukajt dhe plagosjen e rëndë të Nazmi Pukajt.

Ky dënim nga Themelorja, kishte ardhur pasi i akuzuari kishte pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton se Gjykata e Pejës kishte dyfishuar rrethanat lehtësuese ndaj të akuzuarit, kurse nuk kishte vlerësuar drejt rrethanat rënduese, sidomos mënyra e kryerjes së veprës nga i akuzuari.

“Në rastin konkret nuk janë vlerësuar realisht as rrethanat rënduese, e sidomos mënyra e kryerjes së veprës penale, ngase, kur merret parasysh mënyra e kryerjes së veprës penale, ku i akuzuari më parë ua ka zënë rrugën tani të ndjerëve dhe të dëmtuarit, pastaj, përkundër faktit se i dëmtuari N.P., nga goditjet e marra nga i akuzuari tjetër, ka mbetur i shtrirë për tokë, i akuzuari B.D, sërish ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, duke shkaktuar, pra, kështu lëndime të rënda trupore, pastaj, shkon në drejtim të automjetit dhe ka shtënë në drejtim të tani të ndjerit B.P., kurse, dhe pse tani i ndjeri V.P., tenton të largohet nga vendi i ngjarjes, i akuzuari prapë se prapë nga prapa ka qëlluar me armë zjarri tani të ndjerin V, pastaj, duke marrë parasysh moshën e re e tani të ndjerëve, por, edhe sjelljen e të akuzuarit edhe pas kryerjes së veprës penale, ku i njëjti ka qëndruar në arrati në kohëzgjatje prej 10 (dhjetë) vjet, atëherë, rezulton se janë të gjitha këto rrethana rënduese, që po ashtu, gjykata e shkallës së parë, nuk i ka vlerësuar realisht”, thuhet në arsyetimin e Apelit.

Lajme të ngjashme