Vrasja e Auron Thaçit, këtë javë vazhdon procesi gjyqësor në Gjykata Themelore të Prizrenit
Më datën 22 dhe 23 tetor 2025, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, pritet të vazhdohet seanca gjyqësore në rastin ndaj Enes Ay dhe Hajrullah Brcanin.
Këta dy të fundit akuzohen për vrasjen e Auron Thaqi më 7 korrik të vitit 2024, pasi u plagos rëndë me thikë.
Esma Gashi, nëna e të ndjerit, Auron Thaçi, bëri të ditur, për Gazetën Nacionale, se seancat e radhës do të vazhdojnë të mërkurën dhe të enjtën në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
I pandehuri: E.A., me datë 06 korrik 2024, rreth orës 23:50, në Prizren, me anë të mjetit të rrezikshëm, i shkakton lëndim trupor personit tjetër dhe për pasojë shkakton vdekjen e tij, në atë mënyrë që paraprakisht takohen me viktimën A.Th., nga Prizreni me ç’rast viktima ia kërkon telefonin të pandehurit me qëllim që ta njoftojë shokun e tij – të pandehurin H.B., dhe pasi që ky i fundit vjen me veturën e tij në lokacionin në fjalë, i pandehuri ulet në ulësen e pasme të automjetit, derisa viktima në ulësen e përparme dhe pas një konfrontimi verbal me njëri – tjetrin, dalin nga vetura, me ç’rast i pandehuri me përdorimin e një mjeti të mprehtë, e godet viktimën në pjesën e përparme të këmbës (femurit) së djathtë të tij dhe largohet nga vendi i ngjarjes, ku për pasojë, viktima nga plagët e marra pasi fillimisht pranon ndihmën mjekësore pranë Qendrës Emergjente në Prizren, dërgohet më pas pranë QKUK-së në Prishtinë, ku edhe ndërron jetë si pasojë e plagëve dhe lëndimeve të pësuara.
Këso dore ka kryer veprën penale: Lëndimi i rëndë trupor (që ka rezultuar me vdekjen e një personi). I pandehuri: H.B., me datë 06 korrik 2024, rreth orës 23:55, në Prizren, nuk i ofron ndihmë personit jeta e të cilit ndodhej në rrezik të drejtpërdrejtë, edhe pse këtë ka mundur ta bëjë pa rrezik të madh për veten, në atë mënyrë që pasi ishte duke e bartur viktimën A.Th., në veturën e tij të markës ‘……….. me targa të regjistrit: ……….., duke e ditur se ky i fundit ishte plagosur rëndë me anë të mjetit të rrezikshëm nga i pandehuri E.A:, nuk e dërgon të njëjtin pranë ndonjë institucioni të kujdesit shëndetësor, por e nxjerrë nga vetura dhe e lë në rrugë – në afërsi të rrethit të lagjes ‘’Bazhdërhane’’ në Prizren dhe vazhdon rrugën me veturën e tij në drejtim të lagjes ‘’Ortakoll’’, ku si pasojë e plagëve dhe lëndimeve të pësuara viktima A.Th., ndërron jetë pranë QKUK-së në Prishtinë.