VOX: Drejtori i revistës konfirmon se Dimal Basha e ka dorëzuar artikullin kundër UÇK-së si bashkautor
Olivier Dehoorne, Drejtori i Revistës Etudes Caribéennes, ka konfirmuar për VOX Kosova se kryekuvendari Dimal Basha e kishte dorëzuar së bashku me autoren maqedonase Jana Arsovska artikullin e publikuar në vitin 2012, i cili përmbante pretendime se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) kishte bashkëpunuar me baronë të drogës.
Deklarata e drejtorit të revistës hedh poshtë shpjegimet e kryekuvendarit, i cili ka pretenduar se nuk e kishte lexuar artikullin dhe se nuk kishte pasur dijeni për pjesën që e kriminalizonte UÇK-në. Basha kishte pohuar se kontributi i tij ishte kufizuar vetëm në kapitullin e tretë, me titull "Globalizmi në Ballkanin Perëndimor: Krimi transnacional, islami fundamentalist dhe aleancat e padrejta".
Procesi i dorëzimit të artikujve kolektivë
"Kur dorëzohet një artikull kolektiv, ne nuk kërkojmë detaje mbi pjesën e shkrimit që ka bërë secili autor. Kjo është çështje e brendshme. Prandaj nuk jemi në gjendje t'ju tregojmë se cili ka qenë kontributi i secilit prej autorëve. Ata e dorëzojnë artikullin së bashku", ka thënë Dehoorne.
Kjo sqaron se në procesin e publikimit, autorët e një punimi kolektiv e paraqesin së bashku artikullin e tyre, dhe revista nuk hyn në detaje se cila pjesë i takon secilit autor.
Skandali doli në dritë pasi Basha u zgjodh Kryetar i Kuvendit. Në përpjekje për t'u distancuar nga përmbajtja, ai deklaroi më 1 shtator se nuk e kishte lexuar artikullin dhe se kontributi i tij kishte qenë vetëm në kapitullin mbi islamin radikal në Evropën Juglindore.
"Kapitulli 3 ka qenë fusha ku unë kam studiu dhe kam qenë ekspert i çështjes. Prej meje më është kërku një kapitull për fushën që ti ki hulumutime. E kam dorëzu me bindjen që ka me u publiku kapitull i veçantë, po jo se do të del bashkautorësi. Unë s'kisha pranu me qenë bashkautor. Në asnjë moment nuk e kam ditë që do të publikohet bashkautorësi", thoshte Basha më 1 shtator.
"Kjo ka qenë në vitin 2012 dhe nuk e kam lexu kurrë, hera e parë ka qenë këtu që e kam lexu. Pajtohem që është dashtë me kanë ma i kujdesshëm, s'e kam lexu atë artikull kurrë. Po pajtohem se du me mbajt një barrë të përgjegjësisë. Në asnjë moment s'e kam pa artikullin që ka dalë. Pajtohem dhe kërkoj falje për pakujdesinë time. Pajtohem që duhet me u akuzu që kam qenë i pavëmendshëm dhe pakujdesshëm. Unë kam dërgu imellën ku them që ju lutem e tërhiqni edhe kapitullin edhe emrin tim", shtonte.
Pas polemikave publike, Basha njoftoi se ka kërkuar që të largohet emri i tij si bashkautor në artikullin kontrovers. Më 24 shtator, ai konfirmoi se emri i tij ishte hequr nga punimi i përbashkët me autoren maqedonase.
Drejtori Dehoorne e ka konfirmuar këtë zhvillim: "Në këtë rast, autori na ka kërkuar të fshijmë kontributin e tij në artikull. Për këtë arsye kemi hequr emrin e tij dhe pjesën e tretë të tekstit, në marrëveshje me autorin e dytë", theksoi Dehoorne.