Von Der Leyen: BE-ja synon që të themelojë tribunal për krimet e luftës të Rusisë
Bashkimi Evropian do të mundohet që të themelojë një gjykatë të specializuar, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për t’i hetuar dhe ndjekur penalisht krimet e mundshme të luftës, të kryera nga forcat ruse në Ukrainë.
Kështu tha të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne jemi gati që ta fillojmë punën me komunitetin ndërkombëtar për ta marrë përkrahjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare për këtë gjykatë të specializuar” – tha zyrtarja e lartë evropiane.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë një fjalimi drejtuar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në prill, bëri thirrje për themelimin e një tribunali të stilit të Nuremberg-ut për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të mundshme të Rusisë.
“Ushtria ruse dhe ata që u dhanë urdhra atyre, duhet të sillen menjëherë para drejtësisë për krime lufte në Ukrainë”- kishte thënë Zelensky në fjalimin e tij gati 20-minutësh.