Vlora Çitaku i përgjigjet Tinka Kurtit për Kurtin në Japoni: Mund të shkonte dikush tjetër në varrim
Vlora Çitaku i është përgjigjur deptutetes Tinka Kurti e cila me anë të një reagimi pretendoi që e para po binte në kundërshtim me veten.
Çitaku kishte kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, që mori udhën e gjatë për në Japoni vetëm që të merrte pjesë në varrimin e ish kryeministrit Shinzo Abe.
Deputetja Kurti i përmendi Çitakut një status në të cilin ajo shprehte dhimbje për humbjen e jetës së Abes në muajin korrik.
Por, tashmë Çitaku ka bërë një reagim tjetër në të cilin sqaron pozicionin e saj.
“Sigurisht që një delegacion i lartë nga Kosova do të duhej të ishte sot në Japoni për të marrë pjesë në ceremonitë mortore. Ministrja e jashtme për shembull. Apo nuk kemi Ministre të Jashtme?” – ka thënë znj. Çitaku.
Ajo argumentoi se prania e kryeministrit në Kosovë ishte e rëndësishme për t’i dhënë fund grevës që ka pllakosur vendin prej 25 gusht e këndej.
“Kryeministri ka vendosur të ikë, e të abstenojë nga qeverisja.” – shkruan ajo.
Statusi i plotë:
E dashura Tinkë,
Kryeministrin Abe e kemi pasur mik. Atë miqësi e kemi ndërtuar me vite. Ka qenë një mbështetës i madh i Kosovës.
Sigurisht që një delegacion i lartë nga Kosova do të duhej të ishte sot në Japoni për të marrë pjesë në ceremonitë mortore. Ministrja e jashtme për shembull. Apo nuk kemi Ministre të Jashtme?
Në fakt ne nuk kemi Ministra fare, kemi asistentë të Kryeministrit. Ua ka marrë kompetencat të gjithëve.
Kryeministri do të duhej të ishte në Kosovë. Të gjejë zgjidhje për fëmijët tanë. Të ndërmarrë masa për të ndihmuar familjet kosovare në këtë periudhë të rëndë. Por jo. Kryeministri ka vendosur të ikë, e të abstenojë nga qeverisja.
