Vlera mbi 4 mijë euro: Parandalohet kontrabanda në Jarinjë, autobusi nga Serbia në Kosovë me mallra të padeklaruara
Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë njoftuar se kanë parandaluar kontrabandimin e mallrave përmes autobusit në pikën kufitare në Jarinjë.
Dogana përmes një komunikate për media, ka njoftuar se një autobus i linjës Serbi-Kosovë kishte mallra të padeklaruara, vlera e cila është mbi 4 mijë e 700 euro.
“Në momentin e hyrjes së një autobusi të linjës Serbi-Kosovë, i cili kishte si destinacion Kosovën, u zbuluan mallra të fshehura në një nga hapësirat e tij. Mallrat e zbuluara, të cilat ishin të pa deklaruara, përfshinin: produkte ushqimore, mbathje sportive, si dhe produkte tjera tekstili. Vlera totale e mallit që ka tentuar të futet në mënyrë të paligjshme në territorin e Kosovës është 4,793.48€. Autobusi është dërguar në terminalin Doganor të Mitrovicës nën mbikëqyrjen e stafit doganor dhe policor për një kontroll të hollësishëm.” – thuhet në njoftim.
Në fund, Dogana ka njoftuar:
“Mallrat e pa deklaruara janë konfiskuar nga Dogana e Kosovës, ndërsa rasti po trajtohet nga njësitë relevante të Doganës së Kosovës.”