Vjosa Osmani: Serbia ende fle mbi varreza masive - NACIONALE

Vjosa Osmani: Serbia ende fle mbi varreza masive

2 javë më parë

nga NACIONALE

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit lidhur me varrezën masive të zbuluar në Kalludër të Zubin Potokut, duke akuzuar Serbinë se vazhdon të fshehë vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.

Në një postim publik, Osmani ka thënë se Serbia ende mban të fshehur fatin e rreth 1,600 personave të zhdukur, ndërsa mijëra familje në Kosovë vazhdojnë të jetojnë me dhimbjen e mungesës së më të dashurve të tyre.

Ajo ka rikujtuar rrëmbimin e 23 intelektualëve nga Mitrovica në prill të vitit 1999, duke theksuar se kontributi i tyre në arsim, shëndetësi dhe çështjen kombëtare do të mbetet gjithmonë në kujtesën e qytetarëve.

Sipas Osmanit, zbulimi i varrezës masive, ku dyshohet se gjenden eshtrat e tyre, përbën një lehtësim për familjet, por njëkohësisht është edhe një kujtesë e dhimbshme për krimet e kryera gjatë luftës.

Në fund të reagimit të saj, ajo ka bërë thirrje për unitet, duke theksuar se përballë dhimbjes së familjeve të personave të zhdukur dhe kërcënimeve që, sipas saj, vazhdojnë të vijnë nga Serbia, dallimet mes qytetarëve nuk duhet të kenë rëndësi.

Lajme të ngjashme