Vjedhjet e votave brenda kandidatëve, KQZ: Rinumërimi i mbetur 12 deri në 14 ditë
Ekipet e numërimit të votave do të rinumërojnë edhe 1 mijë e 947 vendvotime gjatë ditëve në vijim në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), pas vendimeve të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas KQZ-së, nga 914 vendvotime të planifikuara fillimisht për rinumërim, kanë mbetur edhe 304, ndërsa me vendimin e sotëm procesi është zgjeruar për të përfshirë edhe 1,643 vendvotime në 28 komuna.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se deri më tani janë rinumëruar 610 vendvotime dhe se gjithsej do të rinumërohen 2,557 vendvotime ku është zhvilluar votimi i rregullt më 28 dhjetor 2025.
Ai theksoi se kapacitetet në QNR janë rritur në 76 ekipe numërimi dhe se procesi i rinumërimit të 1,947 vendvotimeve të mbetura pritet të zgjasë nga 12 deri në 14 ditë.
Vendimi për rinumërim të plotë erdhi pasi rinumërimi i një pjese të vendvotimeve nxori dallime të mëdha në numrin e votave për kandidatët brenda subjekteve politike.