Vizita në Tempullin e Budës që Presidentja nuk na tregoi
“Është një nga vendet më të bukura që kam parë në botë”, thotë Presidentja Osmani-Sadriu në një intervistë dhënë për emisionin “Thailand Morning” teksa gjendet brenda tempullit më të madh të budizmit në Tajlandë.
Presidentja gjatë vizitës së Tajlandë, para 12 ditëve, ka treguar për të gjitha vizitat që ka bërë por një të fundit që e ka realizuar në Tempullin “Wat Pho” në Bangkok nuk e ka treguar askund. Por mediat në Tajlandë i kanë dhënë rëndësi kësaj vizite. Në disa video në Youtube Presidentja shihet teksa ka vizituar tempullin e njohur të budizmit. Tempulli “Wat Pho” është një ndër tempujt më të medhënjë të budizmit në botë. Më herët ka qenë edhe një Universitet për religjionin ndërsa tash është një nga hapësirat më të vizituara në botë.
Budizmi është feja e katërt më e madhe në botë, por për dallim nga Krishterizmi dhe Islami, nuk përfshin idenë e adhurimit të një zoti krijues. Shumë njerëz nuk e shohin atë si një fe, në kuptimin perëndimor të fjalës. Parimet kryesore të mësimeve Budiste janë të thjeshta dhe praktike: asgjë nuk është fikse apo e përherëshme; veprimet kanë pasoja; ndryshimi është i mundshëm. Pra Budizmi adreson veten tek të gjithë njerëzit, pa patur parasysh racat, nacionalitetet, grupet shoqërore, gjininë apo sjelljen seksuale. Praktikat Budiste, si meditimi, janë mënyra për të ndryshuar veten me qëllim kultivimin e cilësive të vëmendshmërisë. Nuk dihet nëse Presidentja ka provuar të meditojë por nga pamjet që kanë dalur, ajo shihet se vetëm ka vizituar Tempullin si shenj nderimi ndaj kulturës dhe traditës së lashtë të vendit mikëpritës, Tajlandës.