Vizita e pesëshes diplomatike, zëdhënësi i AAK-së: Përpëlitjet e Kurtit për vendosje të rendit në veri u zhveshën sot
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka komentuar mesazhet e emisarëve perëndimor që vizituan sot Kosovën.
Ai ka bërë me dije se pesëshja diplomatike ka folur sot për ultimatum.
Në profilin e tij në “Facebook”, Xhemaili ka shkruar se përpëlitjet e Albin Kurtit për vendosje të rendit dhe ligjit në veri janë zhveshur sot.
“Pesëshja diplomatike paska folur me ultimatum. Përpëlitjet e Albin Kurtit për vendosje të rendit dhe ligjit u zhveshën sot dhe u kuptua se Albini as që ka pas haber për sulmet në veri, dhe integritetin territorial ja kemi borxh amerikanëve. Po atyre amerikanëve që VV i pati sulmuar ambasadoren e po atyre amerikanëve që militantët e paguar të VV-së bëjnë luftë virtuale kundër tyre. Ashtu siç VV sakrifikoi gjakun e Mon Balajt e Arben Xheladinit e pastaj një nga një përbiu parimet mbi të cilet ranë këta trima, në atë mënyrë do ta përbijë parimin e mbrojtjes së veriut mbi gjakun e heroit, Afrim Bunjaku”, ka shkruar Xhemaili.
Ai ka bërë me dije se tani kryeministri Kurt nuk ka shumë alternativa.
“Sot, Albini e fshinë historinë e shtetndërtimit me gomën e dështimit të makinerisë virtuale e cila afatin e skadimit e ka të garantuar. Albin 'trimi' i ka dy opsione; ose të dalë në zgjedhje e ta shtrydhë këtë populizëm në mbledhje të votës me mashtrim, ose ta pranojë planin e një asociacioni i cili është bërë gogol i ushqyer nga amatorizmi politik i kryeministrit. Më besoni se Albini e ka vetëm një konstante: hipokrizinë politike. Rrëzimi i tij do të jetë po aq i furishëm si ngritja e tij. Kështjella e tij prej letre e ndërtuar mbi korrupsionin e Martinit, Nagipit e Ridit do të digjet mu nga gacat e këtyre tradhtarëve të korruptuar”, ka shkruar ai, duke shtuar se këtë herë do të ketë mbështetjen që e ka pasur më herët.
“Albin, mirupafshim! Këtë herë s'do të kesh në mbrojtje vëllezërit që kërkonin drejtësi për ty para policisë e gjykatave. Këtë herë do të frymosh në greminën që e bëre vet nga çmenduria yte politike, nepotizmi i të paguarve të tu dhe korrupsioni i formuar në palcë të organizimit tënd politik”, ka shkruar Kurti.