Vëzhguesit e OKB-së nisen drejt centralit bërthamor të Ukrainës
Një ekip i vëzhguesve ndërkombëtarë u nis të mërkurën për në centralin më të madh bërthamor të Evropës në Zaporizhia të Ukrainës për shkak të shqetësimeve për aksident të mundshëm ose rrjedhje të rrezatimit.
Rafael Grossi, drejtor i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, tha se shpreson që të formojë një mision të përhershëm në Ukrainë për ta vëzhguar centralin bërthamor që ndodhet afër vijës së frontit.
“Këto operacione janë shumë komplekse. Po shkojmë në një zonë lufte. Po shkojmë në territor të pushtuar dhe kjo kërkon garanci të qarta jo vetëm nga rusët, por edhe nga Republika e Ukrainës”, tha Grossi në kryeqytetin ukrainas para nisjes në mision.
“Kemi mundur që ta sigurojmë këtë, prandaj po lëvizim”, shtoi ai.
Centrali është pushtuar nga forcat ruse dhe po menaxhohet nga punëtorët ukrainas që nga ditët e para të luftës, shkruan agjencia “Associated Press”.