Veturat nga Koreja e Jugut: Prokuroria dhe Policia kontrollojnë disa lokacione në Vushtrri, konfiskohen pesë vetura - NACIONALE

Veturat nga Koreja e Jugut: Prokuroria dhe Policia kontrollojnë disa lokacione në Vushtrri, konfiskohen pesë vetura

46 minuta më parë

nga NACIONALE

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Doganën dhe Policinë e Kosovës, ka zhvilluar kontrolle në disa lokacione në Vushtrri, nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve për importimin dhe zhdoganimin e veturave nga Koreja e Jugut.

Gjatë kontrolleve, të zhvilluara në shtëpitë e të pandehurve me qëllim të sigurimit të provave materiale, janë konfiskuar pesë vetura.

Sipas dyshimeve, të pandehurit kanë manipuluar të dhënat e veturave duke ndryshuar vitin e regjistrimit nga 2015 në 2016, në mënyrë që ato të paraqiteshin si jo më të vjetra se 10 vjet dhe të mundësohej importimi i tyre në Kosovë.

Veprimet dyshohet se janë kryer në kundërshtim me nenin 44, paragrafi 2, të Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjete.

Njoftimi i plotë nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë:

Urdhër kontroll në disa lokacione lidhur me falsifikimin e dokumenteve për importimin dhe zhdoganimin e veturave nga Korea e Jugut – Sekuestrohen pesë vetura

Mitrovicë, 28 korrik 2026 - Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin publik se sot, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës – Njësinë për Hetimin e Auto krimeve Mitrovicë-Jug, në kuadër të një hetimi penal që është duke u zhvilluar, ka realizuar kontroll në shtëpinë e të pandehurve në Vushtrri, me qëllim të gjetjes dhe sigurimit të provave materiale relevante për procedurën penale.

Veprimet hetimore janë ndërmarrë në kuadër të hetimeve lidhur me dyshimin e bazuar se të pandehurit, me dashje, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente të falsifikuara publike gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të automjeteve.

Sipas dyshimeve të deritanishme, me datë 06.07.2026, të pandehurit kanë përdorur dokumente të falsifikuara - librezat koreane të automjeteve duke manipuluar të dhënat që lidhen me datën e regjistrimit të parë të automjeteve, konkretisht, në dokumentet përkatëse është ndryshuar viti i regjistrimit të parë nga 2015 në 2016, me qëllim që automjetet të paraqiteshin si jo më të vjetra se dhjetë (10) vjet dhe, në këtë mënyrë, të mundësohej importimi i tyre në Republikën e Kosovës, në kundërshtim me nenin 44 paragrafi 2 të Ligjit Nr. 05/L-132 për Automjete.

Dokumentet e dyshuara si të falsifikuara dyshohet se janë përdorur gjatë procedurës së importimit dhe zhdoganimit të pesë (5) automjeteve, me ç ‘rast për secilin automjet janë lëshuar Deklarata Unike Doganore (DUD), në të cilat është evidentuar në mënyrë të pasaktë se regjistrimi i parë i automjeteve ishte bërë gjatë vitit 2016, ndonëse nga provat e siguruara deri më tani rezulton se regjistrimi i tyre i parë ishte bërë gjatë vitit 2015. Pesë (5) veturat të cilave dyshohet se u janë falsifikuar dokumentet janë sekuestruar.

Lidhur me këtë rast, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit, në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 paragrafi 1 nënparagrafët 1.2, 1.3 dhe 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lajme të ngjashme