Vetëvendosje me kritika për buxhetin e komunës së Prishtinës: Buxhet për klientët e Ramës - NACIONALE

Vetëvendosje me kritika për buxhetin e komunës së Prishtinës: Buxhet për klientët e Ramës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Shefi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në komunën e Prishtinës, Gëzim Sveçla, buxhetin e miratuar sot të komunës e ka cilësuar si buxhet, për klientët e Ramës.

Ai tutje ka shtuar se ky buxhet, nuk ka synim as gjithëpërfshirjen as interesat e qytetarëve, por duket qartë se synim është realizimi i interesave të grupeve klienteliste.

Postimi i plotë:

Buxhet për klientët e Përparim Ramës

Sot në Kuvendin Komunal në Prishtinë, u miratua buxheti i koalicionit të pakicës LDK-PDK, që udhëhiqet nga Përparim Rama.

Ky buxhet, nuk ka synim as gjithëpërfshirjen as interesat e qytetarëve, por duket qartë se synim është realizimi i interesave të grupeve klienteliste.

Ky buxhet ka një rritje drastike të shpenzimeve apo 200 mijë euro më tepër se viti aktual për paga dhe mëditje.

Përparim Rama këtë vit ka vendosur të shkurtojë dukshëm investimet në mirëqenie sociale, kulturë, art e të ambientit.

Komuna e Prishtinës pra do të shkurtojë buxhetin e këtyre kategorive për 2 milionë e 750,000 euro në total krahasuar me vitin 2022.

Veç kësaj edhe 200.000 euro të tjera janë ndarë për nevojat e zyrës së Kryetarit dhe 45.000 euro, shtesë për ta blerë një veturë të re për Kryetarin e Komunës.

Pa dyshim kjo tregon qartë se "figurat e reja" janë në fakt shkolla e vjetër e LDK-së, që rrit lluksin e pushtetarëve në kurriz të mirëqenies sociale, kulturës dhe parqeve.

Dhe sikur këto të mos mjaftonin buxhetit komunal, po i mirren edhe 200.000 euro të tjera shtesë më shumë se vitin e kaluar për dreka e darka zyrtare.

Një buxhet i tillë nuk synon të përmirësojë jetën e qytetarëve, nxënësve e grave, të pensionistëve e kategorive sociale, të rinisë dhe kulturës në përgjithësi. Përkundrazi, zvogëlimi i buxhetit për këto kategori dhe rritja për 11 milion më shumë shpenzime në administratë dhe afër 19 milionë më shumë për mallra dhe shërbime, që nuk janë për shërbimin direkt tek jeta e qytetarëve, tregojnë qartë se Përparim Rama dhe koalicioni i pushtetit të vjetër kanë vetëm një synim, mundësimin e përfitimeve për një grusht të individëve.

Këta as në planet më të largëta nuk e kanë interesin e investimeve publike, nga ku drejtëpërdrejtë do duhej të përfitonin qytetarët.

Duhet potencuar se, si zakonisht, çdo herë kur LDK e PDK janë në siklet dhe nuk i kanë numrat aty është AAK që i bashkohet klubit të partive të interesit për t’i nxjerrë nga situata. Kështu ishte edhe sot kur dy asamblistë të tyre që ishin në sallë votuan dhe mundësuan kalimin e këtij buxheti klientelist.

Por çka mund të pritej tjetër nga bashkëpunimi LDK-PDK me një kryetar si Përparim Rama përveçse stërkeqje e vendimarrjes në Komunë.

Lajme të ngjashme