“Vetëm armë mbrojtëse”: Ministri gjerman pyetet në Beograd se pse po armatoset Kosova
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, në konferencën e përbashkët për shtyp me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, foli për armatosjen e Kosovës.
Ministri gjerman tha se Gjermania po armatos jo vetëm Kosovën, por edhe Serbinë dhe shtetet tjera.
I pyetur se në bazë të cilit akt juridik ndërkombëtar Gjermania po e armatos Kosovën, Pistorius tha se “Gjermania furnizon vetëm armë mbrojtëse dhe jo sulmuese”.
Pistorius tha se nga perspektiva e Gjermanisë, është duke folur për shtetin sovran të Kosovës.
“Ne e kemi njohur Kosovën, shtetet tjera nuk e kanë bërë, bëhet fjalë për një numër më të vogël shtetesh në botë, është vendim i secilit shtet, por pavarësisht nga çështja e njohjes së një vendi, kërkesë e këtij rajoni duhet të jetë, kur kemi parasysh qëllimin tonë, stabiliteti në rajon si parakusht për afrimin e përbashkët me Bashkimin Evropian, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë nga të dyja palët janë të rëndësishme. Është një parakusht themelor për stabilitet dhe asgjë nuk do ta ndryshojë këtë fakt”, tha Pistorius, përcjell Klan Kosova.