Vërshimet rendojnë situatën në Drenas, komuna tregon për rrugët e bllokuara nga uji
Komuna e Drenasit ka njoftuar për situatën e rënduar në këtë komunë pas reshjeve të mëdha të shiut.
Reshjet e dendura kanë bërë që të ketë vërshimeve përgjatë lumit Drenica.
Sipas komunës, uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë të pakalueshme.
“Disa familje janë evakuar nga rreziku i vërshimeve, ndërsa rryma elektrike është ndërprerë. Rruga nga Drenasi drejt Komoranit, te "Trafoja" është bllokuar, rruga e Feronikelit drejt Kronit të Mbretit është po ashtu e bllokuar. Niveli i lartë i ujit shfaqet edhe në Komoran, Çikatovë të vjetër dhe në lagje të komunës. Kalimi nga qyteti i Drenasit për magjistrale bëhet nëpër Shtrubullovë-Krajkovë-Llapushnik, dhe alternativa tjetër, Drenas-Damanek-Krajkovë-Llapushnik”, është thënë në njoftim.
Komuna ka ftuar qytetarët që të kenë kujdes gjatë lëvizjes.
“Për arsye sigurie, ftohen qytetarët që të mos dalin nga shtëpitë pa nevojë dhe të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikuara, derisa gjendja të stabilizohet. Në këtë situatë të rënduar, falënderojmë personat me automjete private të cilët e ndihmuan përballimin e situatës me ekipet në terren. Ekipet kompetente janë në terren po bëjnë përpjekje për të lehtësuar gjendjen dhe po monitorojnë situatën. Çdo informacion shtesë do të bëhet publik me kohë”, është thënë në njoftim.