Vërshimet në Klinë, Elezaj thotë se do të formohet një komision për vlerësimin e dëmeve
Situata në Komunën e Klinës paraqitet alarmante pas reshjeve të fundit, të cilat kanë shkaktuar vërshime të konsiderueshme. Kryetari i komunës, Zenun Elezaj, gjatë inspektimit në terren, e ka cilësuar gjendjen si mjaft të rënduar, duke konfirmuar dëme të mëdha materiale.
Sipas Elezajt, uji ka vërshuar duke prekur rëndë infrastrukturën publike, por edhe ekonomitë familjare dhe bizneset lokale.
Përballë kësaj situate, kryetari njoftoi se menjëherë pas stabilizimit të gjendjes, do të formohet një komision profesional për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve. Ai paralajmëroi se Komuna e Klinës do t'i drejtohet institucioneve qendrore për mbështetje financiare, me qëllim kompensimin e humbjeve ekonomike që kanë pësuar qytetarët dhe bizneset.
“Gjendje e rënduar nga vërshimet në Klinë Edhe në këto orë jemi në terren për të parë nga afër gjendjen pas vërshimeve. Dëmet janë të konsiderueshme në pronat publike, ekonomitë familjare dhe bizneset. Aktualisht jemi duke u marrë me menaxhimin e situatës, e cila paraqitet mjaft e rënduar. Në ditët në vijim do të formohet komisioni për vlerësimin e dëmeve dhe do të kërkohet mbështetje edhe nga institucionet qendrore për kompensimin e dëmeve ekonomike. U bëjmë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar dhe që, në rast nevoje, të raportojnë te shërbimet emergjente të komunës”, shkruhet në njoftimin e Elezajt.