'Vendim kundërligjor': Reduktohet edhe puna e prokurorive pas vendimit për uljen e pagave - NACIONALE

'Vendim kundërligjor': Reduktohet edhe puna e prokurorive pas vendimit për uljen e pagave

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka vendosur që të reduktohet puna në prokurori dhe të kryhen vetëm shërbimet esenciale, pas vendimit të Qeverisë për uljen e pagave.

Në një komunikatë për media, KPK ka njoftuar se pas një takimi të jashtëzakonshëm, është vlerësuar se vendimi i Qeverisë është kundërshtues dhe kundërligjor.

“Në fillim të këtij takimi, anëtaret e KPK-së dhe kryeprokurorët e prokurorive të Republikës së Kosovës një zëri kanë vlerësuar se vendimi i sotëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës është vendim kundërkushtetues dhe kundërligjor, si dhe ndërhyrje flagrante në pavarësinë e sistemit prokurorial”, thuhet në komunikatë.

KPK ka konfirmuar se puna e prokurorive do të reduktohet, derisa njëjtë si KGJK-ja, ka pezulluar bashkëpunimin me përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës.

“Në ndërkohë, puna e prokurorive do të reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale, po ashtu Këshilli dhe prokuroritë do të pezullojnë të gjitha format e bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nëse ky vendim nuk shfuqizohet deri me datë 08 dhjetor 2022, Këshilli do të do të vendosë për masa tjera më radikale”, thuhet në fund të komunikatës.

Çka vendosi KGJK-ja?

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për uljen e pagave, ku janë marrë disa vendime, mes tyre edhe reduktimi i punës së gjykatave. Në mbledhjen e mëngjesit të së mërkures, Qeveria e Kosovës i ka kthyer pagat e gjyqtarëve, prokurorëve dhe tërë sistemit të drejtësisë ashtu siç ishin para vitit 2017.

Në një konferencë për media, kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj tha se KGJK-ja i kërkon Qeverisë që ta anulojë menjëherë vendimin e marrë në mbledhjen e sotme.

“Në mbledhjen e jashtëzakonshme ka marrë vendim që KGJK-ja, dhe kryetarët e Gjykatave kërkojnë që menjëherë të anulojë vendimin. Puna e gjykatave, reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm për shërbime esenciale. Lista e shërbimeve esenciale do të miratohet në takimin e datës 24 nëntor 2022, pra nesër”, ka thënë Zogaj.

Veç kësaj, ai ka bërë të ditur se KGJK-ja dhe gjykatat kanë pezulluar bashkëpunimin në çdo aktivitet ku pjesëmarrës dhe prezentë janë përfaqësuesit e Qeverisë.

Po ashtu, Zogaj ka deklaruar se nëse nuk shfuqizohet vendimi, deri më datën 8 dhjetor do të vendoset për masa të tjera.

“KGJK-ja dhe gjykatat pezullojnë bashkëpunimin në çdo aktivitet të organizuar apo ku janë prezentë përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës. Nëse Qeveria nuk shfuqizon vendimin, KGJk-ja më datën 8 dhjetor, do të vendosë për masa të tjera, ky vendim hyn në fuqi sot”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme