Veliu për mos-ekzekutimin e pagave: Qeveria e mashtrimit i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje
Depueti i LDK-së, Agim Veliu, ka thënë se Qeveria Kurti çdo ditë po tregon fytyrën e vërtetë dhe me mosekzekutimin e pagave, “i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje”.
Veliu ka kërkuar presion opozitar dhe qytetar mbi qeverinë siç e quan ai "të mashtrimit”.
“Në kohën e inflacionit më të lartë që nga paslufta, ngritjes enorme të çmimeve dhe kur qeveria e mashtrimit po paralajmëron dimër të rëndë energjetik, shumica e mësimdhënësve nuk do të marrin paga as në nëntor. Pagat e tyre do të jenë peng i bankave, duke paguar dy këste të kredisë e me kamata ndëshkuese.”, ka shkruar ai ndër të tjera.
Lexojeni shkrimin e tij të plotë e pa ndërhyrje:
"Qeveria e shpresës" çdo ditë e më shumë po e tregon fytyrën e vërtetë.
Ndodhi greva në sektorin publik dhe kjo qeveri po tregon se është qeveri e ndëshkimit.
Po vërtetohet se Kurti me kabinetin e tij qëllimisht iu shmang dialogut dhe ndërprerjes së grevës në arsim me qëllim që t'i tregojnë "muskujt" karshi mësimdhënësve.
Ndodhi ajo që edhe mund të pritej, qeveria e mashtrimit ndëshkoi mësimdhënësit dhe duke mos ua procesuar pagat, i la pa bukën e gojës mbi 20 mijë familje.
Në kohën e inflacionit më të lartë që nga paslufta, ngritjes enorme të çmimeve dhe kur qeveria e mashtrimit po paralajmëron dimër të rëndë energjetik, shumica e mësimdhënësve nuk do të marrin paga as në nëntor.
Pagat e tyre do të jenë peng i bankave, duke paguar dy këste të kredisë e me kamata ndëshkuese.
Prandaj, më shumë se kurrë nevojitet reagim dhe presion opozitar e qytetar mbi qeverinë e mashtrimit që pagat e mësimdhënësve të procesohen menjëherë.