Vdes një kosovar në Shqipëri, vetura e tij u godit nga kamioni
Një shtetas i Kosovës ka vdekur në Shqipëri si pasojë e një aksidenti në rrugën Lezhë–Milot.
Policia shqiptare ka bërë të ditur se rreth orës 04:30, një kamion është përplasur me automjetin e shtetasit nga Kosova, si pasojë e së cilës drejtuesi i automjetit, me inicialet K. B., ka humbur jetën.
Ndërsa motra e tij dhe djali i viktimës janë transportuar në Spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Shtetasi i Shqipërisë, i cili po drejtonte kamionin, është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ku po kryhen veprimet procedurale.
“Lezhë/Informacion paraprak. Rreth orës 04:30, në aksin rrugor Lezhë-Milot, një automjet tip kamion, me drejtues shtetasin A. M., është përplasur me një automjet me drejtues shtetasin kosovar K. B.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit, shtetasi K. B., ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa motra e tij, shtetasja F. B., dhe djali i tij, shtetasi F. B., janë transportuar në Spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i kamionit, shtetasi A. M., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ku po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, njofton policia./Nacionale