Vdes në moshën 44-vjeçare Driton Aliu, zyrtar i lartë në kabinetin e kryetarit të Gjilanit
Komuna e Gjilanit ka humbur sot një prej zyrtarëve të saj. Në moshën 44-vjeçare ka ndërruar jetë Driton Aliu, zyrtar në Kabinetin e kryetarit të Komunës, Alban Hyseni.
Lajmin e ka konfirmuar vetë kryetari Hyseni përmes një njoftimi publik. I pari i Gjilanit ka shprehur dhimbjen e tij për humbjen e njeriut të cilin e cilësoi jo vetëm si bashkëpunëtor, por si "mik të zemrës".
“Me pikëllim të thellë mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të Driton Aliut, mikut tim të zemrës që e njoha prej vitesh. Dritoni nuk ishte vetëm pjesëtar i kabinetit tim, ai ishte mik i vërtetë, njeri me zemër të madhe, i përkushtuar dhe gjithmonë pranë atyre që e donin”, tha Hyseni në postimin e tij në Facebook.
Ai shtoi se “ikja e tij e parakohshme lë një boshllëk të madh në jetën e të gjithë neve që e njohëm”, teksa u shprehu ngushëllime familjes, miqve dhe të afërmve të tij.
“Shpirti i tij u prehtë në paqe”, përfundoi Hyseni.