Vdes bashkëshortja e Xhemail Mustafës, Abdixhiku: Zonja Bahrije ishte një grua e rrallë
Ka vdekur Bahrije Mustafa, bashkëshortja e Xhemail Mustafës, njëheresh nëna e kandidati të LDK-së për deputet, Besian Mustafa.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiki, e ka vlerësuar lartë personalitetin e saj.
Në profilin e saj në Facebook, ai ka shkruar se zonja Bahrije ishte një grua e rrallë.
“Jeta i kishte ngarkuar mbi supe peshën e një humbjeje të madhe, por ajo kishte ditur ta shndërronte dhimbjen në dinjitet, forcë dhe përkushtim për familjen dhe vendin. Me qetësinë, urtësinë dhe fisnikërinë e saj, ajo mbeti përherë gardiane e kujtimit dhe veprës së bashkëshortit të saj e veprimtarit tonë të madh Xhemail Mustafës. Bahrije Mustafa na la sot. Me të largohet edhe një pjesë e çmuar e kujtesës sonë kolektive. Për shumë vite, takimet tona të 23 nëntorit, në përvjetorin e Xhemës, bartnin ngrohtësinë e pranisë së saj. Ajo ishte aty, me fjalën e matur, me respektin për miqtë dhe me dashurinë e pashtershme për njeriun që i mungoi për një jetë të tërë”, ka shkruar ai, duke folur për takimet që kishte me të ndjerën.
“Çdo takim me të ishte një kujtim i gjallë i qëndresës, besnikërisë dhe fisnikërisë. Edhe kur vitet e kishin lodhur, ajo nuk reshti së ruajturi me krenari kujtimin e Xhemailit dhe vlerat për të cilat ai jetoi. I dashuri Besian, e dashura Berianë, në emër të gjithë anëtarësisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e nënës suaj. Gjeni forcë në shembullin e saj, ashtu siç ajo gjeti forcë në momentet më të vështira të jetës. Zonja Bahrije, pusho në paqe. Bashkohu në amshim me Xhemailin, të cilit i qëndrove pranë me dashuri, besnikëri dhe dinjitet deri në fund”, ka shkruar ai.