Vdekja misterioze e 58-vjeçarit në Gjilan
Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, një 58-vjeçar është gjetur pa shenja jete pranë një veture në Gjilan, saktësisht në rrugën Viti - Letnicë.
Për rastin kanë folur edhe nga Policia e Kosovës për Rajonin e Gjilanit. Të njëtit kanë thënë se janë duke i zhvilluar hetimet.
Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, në një prononcim për gazeten Nacionale ka thënë se nga hetimet fillestare nuk janë gjetur shenja të dhunës në trupin e viktimës.
“Me të dalë në vendin e ngjarjes, afër veturës është gjetur trupi i pajetë i një personi shqiptar, kosovar (1966), i cili ishte pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore nga Stacioni Policor i Vitisë, mjeku kujdestar dhe Hetimet Rajonale nga Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan, të cilat e kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe nga hetimet fillestare nuk janë gjetur shenja të dhunës në trupin e viktimës”, thotë Hashani.
Ai gjithashtu ka thënë se në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.
“Hetimet rreth rastit nga ana e Njësisë së Hetimeve Rajonale në lidhje me rrethanat e rastit janë duke vazhduar në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit”, ka shtuar ai.
