Vdekja e Agon Zejnullahut, Bajrami: Përveç përgjegjësisë individuale, duhet të ketë edhe përgjegjësi politike
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vdekjes tragjike të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili humbi jetën në duart e zyrtarëve policorë. Bajrami ka shprehur ngushëllimet për familjen e të ndjerit, duke e cilësuar rastin si alarmant dhe kërkuar hetim të menjëhershëm e të gjithanshëm:
"Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu dhe për gjithë qytetarët e Kosovës për vdekjen e Agonit!
Prokuroria dhe Inspektorati Policor duhet ta hetojnë plotësisht këtë rast - të gjitha rrethanat dhe pistat e mundshme, dhe të ndriçojnë deri në detaje rastin e vdekjes së 27-vjeçarit.
Është thelbësore që hetimi të zhvillohet pa asnjë vonesë.
Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor, duhet të garantojnë zbatimin e standardeve profesionale dhe respektimin e ligjit në çdo rast të ndalimit apo trajtimit të qytetarëve.
Përveç përgjegjësisë individuale, duhet të ketë edhe përgjegjësi politike, deri te deputeti Kurti, i cili vazhdon të mbajë pozitën e kryeministrit në kundërshtim me ligjin.
Ne kemi përkrahur dhe do të përkrahim kërkesat e ligjshme të Policisë së Kosovës për kushte më të mira pune dhe mbështetje institucionale, por njëkohësisht do të kërkojmë llogari dhe zbatim të ligjit!"